Milan mendon për Okafor; Leao tani është edhe nën radarët e PSG

Sport

Paolo Maldini konfirmoi se prej muajsh kanë nisur përpjekjet për të rinovuar kontratën me yllin e skuadrës Rafael Leao, mirëpo deri më tani nuk ka patur asnjë marrëveshje me agjentin e tij, Jorge Mendes. Drejtori i Milanit la të kuptohej se klubi do t’i qëndrojë politikave të vendosura më herët sa i përket pagave të lojtarëve, por kjo rrezikon qëndrimin portugezit, i cili mbetet elementi më i rëndësishëm i ekipit të trajnerit Pioli. Situata mund të komplikohet edhe më tej nëse raportimet që vijnë nga mediat italiane janë të vërteta. PSG ka filluar të shfaqë interes për Leaon dhe e sheh portugezin si një përforcim të mundshëm për verën e ardhshme. Nëse Milani nuk do të rinovojë kontratën me lojtartin, atëherë sulmuesit do t’i mbetet vetëm 1 vit kontratë nga vera e ardhshme, duke detyruar kuqezinjtë ta shesin. Për Leaon gjatë kësaj vere u interesua edhe Chelsea, ndonëse Maldini konfirmoi se gjithçka mbeti në termat e bisedimeve, pasi zyrtarisht nuk pati asnjë ofertë për kartonin e Leaos. Për të fituar duelin me Chelsea-n, PSG është gati të paguajë klauzolën e parashikuar në kontratën e portugezit me Milanin, që është rreth 150 milionë euro. Burime pranë klubit francez kanë konfirmuar se ka një interesim për Leaon, por deri më tani nuk është përmenduar asgjë rreth shifrave, ndryshe nga ajo që raportojnë mediat.

Milani në anën tjetër po mendon që tani për t’u përforcuar në sulm, edhe në rast se Leao nuk do të largohet. Talenti i Salzburg, Noah Okafor vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha me paraqitjet e tij. 22-vjeçari suedez shënoi në barazimin e Salzburgut 1-1 pikërisht ndaj kuqezinjve, e po ashtu edhe në sfidën e luajtur në ‘Stamford Bridge’ ndaj Chelsea-t. Për momentin, kartoni i tij vlerësohet në 35 milionë euro dhe tek Milani do të ndjekin ecurinë e tij deri në muajin janar, përpara se të marrin një vendim final nëse do të hyjnë në garë për shërbimet e tij apo jo.