Milan, Maldini mendon për rikthimet e bujshme përkrah tij

Sport

Të premten, Milani pritet të zbulojë ekipin e ri drejtues, që do të udhëhiqet nga Paolo Maldin. Teksa në rolin e trajneri të ri duket se do të vijë Marco Giampolo nga Sampdoria, prioriteti gjatë kësaj periudhe është drejtori i ri sportiv, të cilin po e zgjedh vetë Maldini. Këto ditë, shtypi italian ka zbuluar se i preferuari i ish-legjendës kuqezi është jo më pak por Igli Tare, shqiptari që ka rezultuar i suksesshëm gjatë këtyre viteve me Lacion. Pavarësisht se është ngulmuar fort në këtë drejtim, – madje duke i ofruar Tares edhe një pagë të majme -, duket mjaft e vështirë që kjo dëshirë e Maldinit të bëhet realitet, pasi presidenti lacial Lotito nuk ka ndërmend ta lëshojë drejtorin e vet sportiv. Për më tepër që lidhja e Tares me Lacion është nga ato që shkon përtej një kontrate pune.


Mirëpo tani, sipas mediave italiane, duke hasur vështirësi për të marrë Igli Taren, në orët e fundit tek Milani ka dalë në skenë emri i një tjeër legjende kuqezi. Bëhet fjalë për Zvonimir Boban. Ish-mesfushori kroat punon prej vitesh si zëvendëssekretar i FIFA-s dhe nuk dihet sa i gatshëm do të ishte për të nisur një aventurë të re, ku nuk ka fort eksperiencë. Gjithsesi rkthimi në shtëpi e josh, aq më shumë që nëse Milani i ri nis të kthehet në nivele të larta, drejtuesit e rinj do të kenë merita dhe të ardhme të sigurt. Ndër emrat e tjerë që përfliten është edhe ai i një tjetër ish-milanisti, si Manuel Rui Costa, aktualisht drejtues i Benficës. Ndërsa kandidatë janë edhe italianët me më shumë përvojë në poste drejtuese, si Osti dhe Sartori.