Milan, Maldini këmbëngul në qëndrimin e Donnarummas, e konsideron portierin me të mirë në botë

Sport

Gianluigi Donnarumma është një nga ata lojtarë të Milanit, e ardhmja e së cilit do të jetë gjithnjë në pikëpyetje. Portieri i talentuar i kuqezinjve është thuajse gjithnjë pjesë e listës së merkatos të shumë klubeve të mëdha, që e shohin 21-vjeçarin si një garanci të madhe për të ardhmen. Për të janë interesuar vazhdimisht klube si Manchester City apo PSG, me këta të fundit që vazhdimisht provojnë ta shkëpusin nga ‘San Siro’. Megjithatë, tek Milani nuk kanë ndërmend të heqin dorë kollaj nga Donnarumma. Drejtori teknik i klubit kuqezi, Paolo Maldini ka këmbëngulur në qëndrimin e portierin të ri, duke u shprehur se drejtuesit kërkojnë të mbajnë sa më gjatë në ekip lojtarë të tillë të rëndësishëm, që janë kthyer në një simbol të skuadrës, për më tepër edhe prej faktit se janë produkte të akademisë së tyre. Gjithësesi, ende nuk ka një marrëveshje sa i përket rinovimit të kontratës së Donnarummas, diçka që Maldini mendon se do të zgjidhet brenda pak kohësh. Sipas legjendës së Milanit, 21-vjeçari është portieri më i mirë në botë dhe një nga ata që do të jenë në elitën e futbollistëve europianë për një kohë shumë të gjatë. Agjenti i portierit, Mino Raiola  ka deklaruar se pavarësisht lidhjes së veçantë që Donnarumma ka me klubin milanez, niveli i skuadrës dhe mosprezenca në ‘Champions League’ mund të jenë arsye të mjaftueshme që 21-vjeçari të mendojë largimin gjatë merkatos. Së fundmi, vetë portieri pati deklaruar në një intervistë për kanalin zyrtar të Milanit se është i përqëndruar për të dhënë më të mirën e tij për fanellën kuqezi, që pranoi se ka një vlerë të veçantë për të.