Ndryshimi i pronësisë së Milanit, që tashmë i takon fondit amerikan “Elliot”, ka rikthyer fytyra të vjetra në stafin kuqezi. Leonardo është emëruar si drejtori i ri teknik i kuqezinjve, pavarësisht disa protestave të tifozëve në lidhje me ish-futbollistin brazilian. Leonardo nga ana e tij, i ka idetë e qarta dhe është vënë menjëherë në punë për të siguruar një emër të madh për sulmin. Morata, Higuain dhe Benzema janë më të përfolurit, por që gjithësesi deri më tani mbeten thjesht spekulime të medias. Në Itali, thuhet se ka patur një bisedë telefonike mes Leonardos dhe Marottas së Juventus, ku tema kryesore ka qenë Gonzalo Higuain. Me ardhjen e Cristiano Ronaldos në skuadër, “El Pipita” mendohet të jetë i sakrifikuari i bardhezinjve.
Milan kërkon të përfitojë nga kjo situatë dhe Higuain mendohet të jetë shprehur i gatshëm për të hyrë në bisedime me kuqezinjtë, por problem për Milanit duket të jetë edhe interesimi i Chelsea-t për argjentinasin. Trajneri i ri i “bluve” të Londrës, Maurizio Sarri kërkon të bashkohet më sulmuesin. Një lëvizje e tillë gjithësesi do t’i hapte rrugën tratativave të Milanit me Alvaro Moratën, ndërsa pista Benzema për momentin mbetet ende e komplikuar për shkak të pagës së lojtarit. Leonardo ndërkohë duhet të kujdeset edhe për shitjet në organikën e Milanit, me Kaliniç që ka arritur një akord me Atletico Madrid e pritet zyrtarizimi, ndërsa spekulime ka edhe për Bonuccin apo portierin Donnarumma.