Prej kohësh në mediat italiane e jo vetëm po qarkullon lajmi se nga sezoni i ardhshëm, Milani do të ketë pronarë të rinj. Fondi i mirënjohur nga Bahreini, ‘Investcorp’ ka bërë një ofertë zyrtare me shifra të konsiderueshme drejt ‘Elliot Management’, për blerjen e të gjitha aksioneve të klubit italiane, por gjatë ditëve të fundit, të rejat rreth kësaj tratative kanë mbetur të pazbuluara.
Por disa komente në në rrjetet sociale nga emra të rëndësishëm të grupit ‘Investcorp’, ku lavdërohej paraqitja e Milanit në këtë sezon, ka rikthyer vëmendjen tek kjo tratativë. I gjendur përballë këtyre spekulimeve, një nga drejtuesit më të rëndësishmë të fondit nga Bahreini, Rishi Kapoor, ka folur rreth kësaj teme. Ai e ka pranuar publikisht se ka një interesim konkret të fondit ‘Investcorp’ për blerjen e klubit kuqezi dhe se bisedimet kanë ecur mirë, por kurrësesi nuk pranoi ta konsideronte tratativën si një marrëveshje të mbyllur. Sipas tij, për momentin bisedimet janë në një fazë ku nuk mund të bëhen komentime, por siguroi se fondi nga Bahreini ka shfaqur interes vetëm për blerjen e Milanit dhe jo të ndonjë klubi tjetër.
Kapoor e mbylli duke hedhur poshtë mundësinë që ‘Investcorp’ të bashkëpunojë me një fond tjetër për blerjen e 7 herë kampionëve të Europës, por kërkojnë të kenë nën zotërim të gjitha aksionet e klubit italian. Nëse gjërat do të shkojnë siç janë planifikuar, atëherë drejtuesi i ‘Investcorp’ la të kuptohej se marrëveshja do të fillojë të zbardhet publikisht vetëm pas përfundimit të kampionatit italian fundjavën e ardhshme. Oferat e fondit nga Bahreini është në tavolinën e ‘Elliot’ dhe bisedimet kanë ecur mirë, por pronarët aktualë të Milanit kërkojnë të shohin fillimisht mbylljen e sezonit, përpara se të ndërmarrin hapa të tjerë të rëndësishëm.