Milani për momentin është në probleme të mëdha, që kryesisht vijnë prej mosbesimit të UEFA-s ndaj presidentit Li dhe rifinancimit të borxheve ndaj fondit Elliot. Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, drejtues të kuqezinjve janë vënë në kërkim të partnerëve të mundshëm, të cilët janë të gatshëm të investojnë para në aksionet e Milanit.
Nga Shtetet e Bashkuara, qarkullon lajmi se Thomas Ricketts është një nga biznesmenët më të interesuar në blerjen e klubit. Ricketts është një nga njerëzit më të pasur në Amerikë dhe kjo familje njihet si një nga mbështetësist më të mëdhenj të presidentit amerikan Donald Trump.
Aktualisht, Ricketts është pronari i skuadrës së bejzbollit, Chicago Cubs. Problemi i vetëm në këto histori është se 55-vjeçari amerikan kërkon ta zotërojë totalisht klubin e jo të jetë thjesht investitor. Megjithatë nuk përjashtohet ideja e blerjes fillimisht të disa aksioneve, që do ta bënin pjesë të bordit, për të marrë më pas gradualisht presidencën e klubit. Megjithatë për momentin nuk ka ende asgjë konkrete, dhe nga drejtuesit e Milanit të cilët kanë shkuar në New York për të zhvilluar takimin, nuk ka patur asnjë koment.