Spekulimet e fundit të merkatos nuk i kanë bërë mirë lojtarëve të Milanit. Të paktën këtë thotë trajneri i kuqezinjve, Gennaro Gattuso. Në konferencën për shtyp përpara sfidës me Tottenham në turneun amerikan, ai shprehet se të gjithë zërat e merkatos për lëvizje të mundshme të lojtarëve, kanë krijuar një situatë aspak të qetë në grup. Lojtarë si Bertolacci, Gomez, Kalinic, Abate që janë në largim e sipër apo edhe Suso e Donnarumma, për të cilët ka spekulime, nuk janë aspak të përqendruar. “Lajmet e merkatos na tërheqin të gjithëve, por kam vënë re që djemtë janë ngulur në telefonat e tyre duke parë çdo lajm të mundshëm rreth transferimeve, e më pas flasin edhe me agjentët e tyre për të konfirmuar lajmet. Kjo është pjesë e lojës, por ka krijuar një situatë që mua nuk më pëlqen”-shprehet 40-vjeçari.
Ndërkohë që Gattuso duhet të përballet çdo ditë edhe me lajmet se ai vetë nuk e ka vendin të sigurt në krye të pankinës kuqezi, në një kohë ku vetë drejtuesit e Milanit e kanë konfirmuar si trajnerin e tyre edhe për vitin e ardhshëm. Drejtori i ri i Milanit, Leonardo pati deklaruar në prezantimin e tij se nuk ka patur kontakte me Antonio Conten, por gjithësesi vazhdojnë të qarkullojnë se një akord me tij dhe ish-trajnerit të Juventus e Chelsea ekziston vërtet.