Gennaro Gattuso fiton kontratën e dëshiruar. Ish-mesfushori i Milanit, pasi e mori skuadrën në dorëzim në muajin nëntor, ka arritur të bindë drejtuesit e klubit që t’i japin atij një kontratë permanente. Kështu pas një forme të kënaqshme në muajt e fundit Gattuso ka firmosur për të qëndruar në detyrë deri në vitin 2021. Pas largimit të Vincenzo Montellas, skuadra dukej e trazuar dhe me një grup pa shumë motivim. Ardhja e Gattusos, i cili duhet thënë se nuk kishte përvoja pozitive në drejtimet e Palermos, Kretës apo dhe Pisës, i ktheu gjërat në rrugën e duhur.
8 fitore janë rezultati i punës së Gattusos që e ka ngjitur MIlanin në vendin e 6-të ndërsa ka siguruar edhe finalen e Kupës së Italisë. Përmes një komunikate për shtyp klubi kuqezi njoftoi se kontrata permanente për 40-vjecarin vinte pas punës së kënaqshme të treguar prej tij deri më tani. Vetë Gattuso u shpreh se i ishte mirënjohës Mirabellit për besimin e treguar dhe se do të bënte të pamundurën për t’ia shpërblyer. “Shpresojmë të vazhdojmë atë çka kemi bërë deri më tani, për ta kthyer Milanin aty ku e meriton” – u shpreh Gattuso. Me kontratën e re Gattuso do të shpërblehet me 2 milionë eruo në sezon, afërsisht sa 15 fishi i pagës që përfitonte aktualisht. Kështu 40-vjecari bëhet trajneri i tretë më i paguar në Serie-A, pas Allegrit që merr 7 milion dhe Spallettit që merr 4.