Lajmet e mira vazhdojnë për Giacomo Bonaventuran, të cilit Milani është gati t’i rinovojë kontratën. Marrëveshja aktuale mes palëve zgjat deri në qershor të vitit 2020, por kuqezinjtë tashmë janë të bindur për të vazhduar më tëj bashkëpunimin. Aktualisht Bonaventura është një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Gattusos, dhe nga ajo që raportohet së fundmi në Itali, Milani do të kërkojë të rinovojë kontratën e 29-vjeçarit deri në vitin 2022. Me shanset e tij për të luajtur edhe me përfaqësuesen e Italisë, të shtuara me ardhjen e trajnerit Roberto Mancini në krye të azzurrëve, kuqezinjtë janë të bindur se vlera e futbollistit do të rritet ndjeshëm në merkato.
“Jack” është mjaft i vlefshëm për trajnerin Gennaro Gattuso, pas ai është i aftë të luajë në shumë zona të mesfushës, madje edhe në pozicione sulmuese. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, bisedimet synojnë që të zgjasin kontratën edhe me dy vite të tjera, shoqëruar me një rritje të pagës së mesfushorit. Bonaventura u transferua te Milan nga Atalanta në ditën e fundit të merkatos së vitit 2014 për 7 milionë euro, duke mposhtur edhe konkurencën e rivalëve të Interit.