Milan, Cardinale e Ibrahimovic ‘ngecin’ tek pyetja për Piolin; stadiumi i ri mbetet prioritet

Sport

Gerry Cardinale dhe Zlatan Ibrahimovic kanë qenë të ftuar në samitin e ‘Financial Times’, sa i pëket projekteve sportive, ku janë përballuar me një seri pyetjesh në lidhje me të ardhmen e projektit të Milanit. Cardinale është ndalur po ashtu edhe tek emërimi me post drejtuesi të Zlatan Ibrahimovic, që numri 1 i ‘RedBird’ e konsideron si zërin e tij tek Milani. Sipas Cardinale-s, Ibra ka pushtetin e plotë për të menaxhuar klubin, e sidomos për të qenë pranë skuadrës dhe trajnerit Pioli. Sa i përket çështjes së merkatos, Cardinale vazhdon t’i besojë drejtuesve aktualë, ndërkohë që e pranoi se po mendohen ndryshime sa i përket stafit teknik dhe atletik të klubit, duke iu referuar dëmtimeve të shumta që kanë patur tek skuadra kuqezi. Një nga pikat më të rëndësishme të disktuimit ishte padyshim edhe çështja e stadiumit, me Cardinale-n që u shfaq i lumtur me faktin që tashmë klubi ka hedhur hapat e parë për ndërtimin e një shtëpie të re. Edhe pse ‘San Siro’ mbetet shumë i dashur për popullin kuqezi për kujtimet e tyre në atë impiant, numri 1 i Milanit është i bindur se stadiumi i ri do t’i japë një qasje tjetër rritjes së klubit. Ai zbuloi se stadiumi i ri do të jetë i stilit amerikan, pasi do të ketë hapësira të mjaftueshme për të shërbyer edhe si kampus argëtimi.

Ibrahimovic po ashtu ka qenë në të njëjtën linjë me pronarin e klubit, duke u shprehur se qëllimi i drejtuesve është të ulin sa më shpejt diferencat që kanë me klubet e kampionateve të tjera. Ndërsa në lidhje me pozicionin e trajnerit Pioli, si Cardinale, edhe Ibra u përpoqën të shmangnin komentet direkte, duke lënë të hapur mundësinë se largimit të teknikut në fundin e sezonit aktual. Vetë suedezi e pranoi se ka ende shumë për të mësuar në rolin e tij të ri, por është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ndihmuar drejtuesit e tjerë të arrijnë objektivat e këtij projekti.