Milan bën hapa pas, Rangnick nuk vjen, rinovohet kontrata e Piolit

Sport

Milan mbetet ende një nga skuadrat e pamposhtura në Europë që nga rikthimi i futbollit. Kuqezinjtë kanë shfaqur një formë mjaft të mirë, teksa viktima e tyre e radhës ishte Sassuolo, ku vendosi një dopietë e Zlatan Ibrahimovic. Paraqitjet mjaft të mira të skuadrës kanë bërë drejtuesit e klubit të mendojnë edhe njëherë tjetër planet për të ardhmen, duke surprizuar me lëvizjet e bëra. Agjenti i Ralf Rangnick ka deklaruar se nuk është momenti i duhur që klienti i tij të punojë me Milanin dhe të dyja palët kanë rënë dakord për të ndalur tratativat mes tyre. Menjëherë pas këtij lajmi, është zyrtarizuar se trajnerit aktual të Milanit, Stefano Piolit i është rinovuar kontrata edhe me dy vite të tjera. Kontrata e re e Piolit do të vlejë deri në qershor të vitit 2022, çfarë tregon se klubi mund të ketë ndryshuar sërish drejtim. Rinovimi i Piolit shton shanset që edhe në sezonin e ardhshëm, Frederic Massara dhe Paolo Maldini të mbetet si drejtuesit e lartë të klubit, ndërkohë që mund të vendosë të qëndrojë edhe Zlatan Ibrahimovic. Të gjitha këto lëvizje kanë qenë të papritura edhe për vetë tifozët e Milanit, ndërsa do të jetë interesante për të parë mënyrën se si do të lëvizë klubi në merkato. Sa i përket Rangnick, mediat italiane janë përpjekur të gjejnë arsyet se pse gjermani u tërhoq nga tratativat me Milanin, ku thuhet se atij i është ofruar vetëm detyra si drejtor teknik, diçka që ai nuk e ka pranuar. Me konfirmimin e Piolit, Milani do të përpiqet të gjejë vazhdimësinë që i ka munguar gjatë sezoneve të fundit dhe nëse skuadra vijon të paraqitet njësoj si gjatë këtyre javëve, atëherë për kuqezinjtë, gjërat kësaj here mund të jenë në rrugën e duhur.