Milani fiksoi të martën barazimin e dytë radhazi, duke u ndalur kësaj radhe në fushën e Atalantës që mori pikën e radhës përballë kuqezinjve. Nga ana tjetër, klubi milanez po përballet me një emergjencë të paprecedentë, me gjashtë lojtarë të dëmtuar. Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për situatën e vështirë të kuqezinjve , duke pranuar se ekipi po përballet me një valë dëmtimesh që nuk ishte aspak e parashikueshme.
“Nuk mund të parashikohej dëmtimi i gjashtë lojtarëve gjatë pushimit të kombëtareve. Duhet të kemi ndërgjegjen se kemi një skuadër të fortë,” deklaroi Tare përpara mikrofonëve të gazetarëve.
“Në dhjetor do të bëjmë vlerësimet e duhura me trajnerin për të ardhmen e afërt.” Deklarata e drejtuesit të klubit vjen në një moment delikat për skuadrën e Gerry Cardinale, që pas një fillimi të mirë të sezonit, është përballur me probleme të shumta fizike në repartet kyçe. Sipas mediave italiane, drejtuesit e Milanit po shqyrtojnë ndërhyrje të mundshme në merkato nëse situata e dëmtimeve nuk përmirësohet deri në fund të nëntorit.