Ndonëse objektivi më i madh i Milanit ishte Angel Correa, kuqezinjtë kishin edhe planin ‘B’ të kësaj vere. Skuadra italiane mbylli gjatë orëve të fundit të merkatos marrëveshjen për sulmuesin kroat, Ante Rebic. 25-vjeçari kreu vizitat mjeksore në klinikën ‘Madonina’ dhe tashmë është një lojtar kuqezi. Ai u afrua në formën e huazimit 2-vjeçar, për të cilën u paguan 5 milionë euro, me të drejtë blerjeje nga ana e Milanit për shifrën e 25 milionë eurove. Ndërsa Frankfurti, si pjesë të marrëveshjes, transferoi në Gjermani po me huazim 2-vjeçar sulmuesin portugez Andre Silva. Ky i fundit nuk ia doli të përshtatej kurrë tek Milani dhe tashmë do të provojë të rigjejë veten tek Frankfurti. E gjithë kjo tratativë mes dy klubeve mund të ishte bllokuar pasi gjatë testeve fizike të Andre Silvas, u konstatua një problem me tendinën.
Megjithatë pas analizave të mëtejshme u kuptua që nuk bëhej fjalë për një lëndim kronik dhe marrëveshja u mbyll përfundimisht. Ante Rebic ishte objektiv i disa skuadrave europiane, ku interes për të kishin shfaqur dhe ekipe si Inter apo Manchester United. Veç Rebic, Milani u përpoq të gjente edhe një marrëveshje për brazilianin Taison të Shakhtar Donetsk, por skuadra ukrainase nuk pranojë të ulë pretendimet e saj prej 30 milionë eurosh. Për këtë arsye Milani u tërhoq nga tratativat për mesfushorin, duke parë edhe moshën e tij 31-vjeçare. Ante Rebic ishte blerja e gjashtë e kuqezinjve për këtë merkato verore, ku më parë u afruan emra si Theo Hernandez, Ismael Bennacer, Leo Duarte, Rade Krunic dhe Rafael Leao.