Mikel vlerëson Hazard, por thotë se belgu nuk stërvitet ashtu si duhet

Sport

John Obi Mikel është nga ata që i ka njohur nga afër vlerat dhe talentin e Eden Hazard, duke qenë së të dy kanë qenë shokë skuadre tek Chelsea për plot 5 sezone. Kapiteni i kombëtares së Nigerisë është shprehur në një intervistë të dhënë së fundmi se Hazard ka aftësinë të zgjidhë i vetëm një ndeshje dhe për këtë arsye ai listohet me futbollistëve më të mirë në botë. Belgu tashmë është pjesë e Real Madrid, duke realizuar ëndrrën e tij për të veshur fanellën e ‘los blancos’, por deri më tani, Hazard nuk ka arritur të ketë impaktin që të gjithë prisnin prej tij. Sipas Mikel, transferimi me bujë i Hazard tek madrilenët ka rritur pritshmëritë ndaj belgut, por edhe presionin.

Për këtë arsye, atij do t’i duhet pak kohë për të gjetur qetësinë dhe ritmin e duhur për të dhënë më të mirën e tij. Megjithatë, ka edhe një aspekt tjetër që duket se e pengon belgun të japë më të mirën. Të paktën kështu beson Mikel, që thotë se ish-shokut të tij të skuadrës nuk i pëlqen të stërvitet shumë fort. Këtë gjë, nigeriani thotë se Hazard e ka patur që në kohën kur luante tek Chelsea. Madje Mikel thotë se kjo gjë e bënte të shihej me adhurim edhe në Londër, pasi pavarësisht se nuk përkushtohej shumë në stërvitje, ditën e ndeshjes ai ishte gjithnjë më i miri në fushën e lojës. Gjithësesi, Mikel thotë se është i sigurt se Hazard do të marrë situatën në dorë tek Reali shumë shpejt, ndonëse nigeriani e këshillon që të përkushtohet disi më shumë edhe në stërvitjet e skuadrës, duke qenë se futbolli spanjoll është krejtësisht ndryshe nga ai që Hazard luante në Angli.