Përgjatë ditëve të fundit, Mikel Arteta është komentuar si pasardhësi i Carlo Ançelotti në radhët e Real Madrid. Nëse tekniku italian e mbyll sezonin pa trofe në “Santiago Bernabeu”, atëherë mundësitë janë shumë të mëdha që ai të shkarkohet nga klubi.
Në rrethana si këto, drejtuesit kanë nisur të mendojnë për pasuesin e 63 vjeçarit në stolin e 14 herë kampionëve të Europës dhe pikërisht Mikel Arteta është një prej emrave në listë. Në lidhje me një çështje të tillë, është pyetur vetë trajneri i Arsenalit, i çili është treguar shumë i qartë në përgjigjen e tij.
“Gjërat që shkruhen, apo që thuhen në media janë diçka që nuk mund të kontrollohen dot as nga lojtarët dhe as nga trajnerët. Ajo që mund t’ju them me siguri është fakti se jam i përqendruar tërësisht në punën time në krye të Arsenalit dhe për këtë ndihem krenar dhe i plotësuar me situatën që po kalojmë të gjithë në klub. Nuk mund të them asgjë tjetër më tepër se kaq”, janë fjalët e numrit një të stolit në “Emirates”.
Kontrata aktuale e 40 vjeçarit me klubin londinez është e vlefshme deri në verën e 2025-tës. I emëruar në krye të Arsenalit në Dhjetor të 2019-tës, Gunners tashmë po përjetojnë momentin më të mirë nën drejtimin e spanjollit.
Në 26 javë në Premier League, Arsenali kryeson tabelën e klasifikimit me 63 pikë, 5 më tepër sesa Mançhester Çity i vendit të dytë. Një titull kampion në “Emirates” nuk festohet që prej vitit 2004, ndërsa Arteta është duke e rikthyer atë në shtëpi.