Mike Maignan “tremb” Milanin. Gardiani kuqezi ndihet parizien dhe nuk përjashton mundësinë e rikthimit në bazë. Shorti fazës së grupeve të UEFA Champions League, e ka vendosur Milanin dhe PSG në Grupin F, atje ku bëjnë pjesë edhe Borussia Dortmund, bashkë me Neëcastle.
Ky konsiderohet si grupi më i vështirë i Champions League, atje ku secila skuadër do të luftojë për të kaluar në raundet e përtejme të kompeticionit.
Pikërisht përballja PSG-Milan, do të jetë një rikthim në shtëpi për Mike Maignan, i cili është një product i klubi francez, ndërsa nga 2013-ta, e deri në 2015-tën, ka qenë pjesë e skuadrës së parë, ndonëse nuk luajti asnjë ndeshje, ndërsa më pas, u largua në drejtim të Lille. Një gjë e tillë do të thotë se kjo nuk është hera e parë që Maignan do të luajë kundër Parisit.
Gjithësesi, ndoshta, 28 vjeçari nuk e konsideron ende të mbyllur epokën në “Parc des Princes”. “PSG? Unë kam luajtur kundër tyre gjatë kohës kur isha tek Lille, kështu që atje është një terren që e njoh mjaft mirë. Padyshim që do të jetë një ndeshje e madhe. Sigurisht që unë jam parizien, por sot për sot kam një kontratë me Milanin, kurse të ardhmen nuk mund ta dimë asnjëherë se çfarë na ofron”, ka thënë numri një i katërkëndëshit kuqezi, duke dhënë në këtë mënyrë një mesazh të qartë për drejtuesit e klubit kampion të Francës.
Kontrata e Maignan me Milanin është e vlefshme deri në verën e 2026-tës, ndërsa disa javë më parë, klubi italian nisi nga puna për të rinovuar marrëveshjen, por që ende nuk ka diçka konkrete.