Mike Maignan nuk është vetëm një hero i Milanit, por edhe i Francës

Sport

Mike Maignan nuk është vetëm një hero i Milanit, por gjithashtu edhe i Francës. Në dy ndeshjet e fundit të gjelave, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, ndaj Hollandës dhe Irelandës, Maignan është kthyer në një element thelbësor të skuadrës së Didier Deschamps, teksa me pritjet e tij vendimtare ka arritur që ta mbajë portën të paprekur.

Pritjet më të rëndësishme rezultuan të martën mbrëma ndaj Irelandës, përballje të cilën Franca e fitoi me rezultatin minimal 1-0, me golin e shënuar në fillimin e pjesës së dytë me anë të Benjamin Pavard. Në minutat e fundit, Francës iu desh të mbronte rezultatin, ndërsa i vetmi futbollist i gjelave që nuk po u dorëzohej sulmeve vendase, ishte pikërisht Maignan.

Në mbyllje të takimit, 27 vjeçari mori edhe përgëzimet e shokëve të skuadrës, e në veçanti të trajnerit Didier Deschamps.

Pas tërheqjes të Hugo Lloris, Maignan tashmë është kthyer në numrin një të portës së Francës. Shtatlarti po përjeton një moment të shkëlqyer, teksa duket se e ka hedhur përfundimisht pas shpine dëmtimin e rëndë, që e mbajti atë për disa muaj jashtë fushave të lojës.