Mike D’Antoni nuk do të ndryshojë lojën e Houston edhe pas ardhjes së Westbrook

Sport

Kalimi i Russell Westbrook nga Oklahoma City Thunder tek Houston Rockets është parë si një ndër lëvizjet më të mëdha të dekadës së fundit në NBA. Si Westbrook, edhe skuadra e tij e re, Houston, janë në kërkim të titullit kampion dhe ndoshta sezoni i ardhshëm do të jetë mjaft i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga trajneri Mike D’Antoni. Ky i fundit ka arritur të krijojë një nga skuadrat me sulmin më të mirë në NBA, duke ia besuar udhëheqjen e skuadrës, një prej yjeve më të mëdhenj të basketbollit amerikan, James Harden.

Por ardhja e Westbrook mund të komplikojë situatën. Westbrook ka një stil loje të ndryshëm nga ai që aplikon Mike D’Antoni tek Rockets. Si Westbrook, edhe James Harden, janë lojtarë që duan të kenë topin në zotërim, prandaj për trajnerin D’Antoni do jetë një punë e vështirë. Trajneri është shprehur së fundmi se ardhja e Westbrook do të rrisë ndjeshëm nivelin e Rockets, por ai nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën se si sulmon skuadra. Me pak fjalë, do të jetë Westbrook ai që duhet të përshtatet me ekipin e tij të ri dhe pritshmëritë janë të mëdha, duke qenë se ai dhe Harden kanë luajtur së bashku që kur ishin në gjimnaz. Por shumë analistë dhe ish-lojtarë të NBA e kanë parë me skepticizëm këtë transferim të Westbrook, duke shtuar se dyshja e tij me James Harden nuk do të funksionojë, por do t’i hapë akoma më shumë probleme trajnerit Mike D’Antoni.