Migjen Basha rrëfehet nga karantinimi: Pse zgjodha Australinë…

Sport

Migjen Basha ishte ndër futbollistët shqiptarë që zbritën për të luajtur deri disa ditë më parë. Të paktën derisa edhe Federata Australiane e Futbollit vendosi të ndërpresë kampionatin e atjshëm. Mesfushori që është tërhequr nga Kombëtarja, tashmë luan me skuadrën e qytetit të Melburnit. Aty ku tashmë është izoluar në karantinë dhe nga ku ka treguar se çfarë po ndodh në Australinë e largët. “Po qendroj në karantinë, sepse ndeshjen e fundit që kemi luajtur, ishim në Uelington të Zelandës së Re, përderisa kemi një ekip nga atje që luan në ligën tonë. E si për ironi të fatit, qeveria australiane nxorri dekretin që të gjithë njerëzit që kishin udhëtuar nga jashtë drejt Australisë, do të ishin mbyllur në karantinë. Si rrjedhojë i shtynë edhe ndeshjet e kampionatit, që deri para pak ditësh ishin luajtur me dyer të mbyllura. Mund të them se këtu në Australi nuk ndihet akoma frika, pasi nuk ka shumë raste. Por ndërkaq janë marrë masat parandaluese, si për shembull mbyllja e shkollave”, tha fillimisht Basha për mediat australiane.
PSE AUSTRALIA? – 33-vjeçari gjithashtu ka treguar edhe përvojën e deritanishme në Australi dhe se çfarë e shtyu të shkonte atje. “Sinqerisht kam menduar gjithmonë se në fund të karrierës duhet të bëja një përvojë të tillë. Dhe pata fatin që të vija këtu, sepse kur ma propozuan kisha ende kontratë në Greqi. E prisha marrëveshjen atje dhe u transferova me familjen në Melburn. E them me plot gojën se nuk jam aspak i penduar për këtë zgjedhje. Dua të vazhdoj të luaj derisa të ndiej se po argëtohem”.
PERSHTYJET MBI FUTBOLLIN – “Fatkeqësisht në Evropë, njerëzit mendojnë se futbolli këtu nuk vlen aspak. Në të vërtetë ka lojtarë cilësor. Këtu askush nuk të kursen nga fillimi në fund. Madje ndodh që shpesh të ketë ndeshje që përfundon me shumë gola dhe të papritura. Për më tepër në Australi edhe jetohet shumë mirë. Pavarësisht se futbolli nuk përjetohet ndoshta ashtu si nëpër vendet e Evropës”.
ATALANTA NE CHAMPIONS – “Kam luajtur me Atalantën dhe nuk befasohem aspak nga ecuria që po bën. Që në kohën kur isha unë, presidenci Percassi, ka bërë gjithcka më së miri. I uroj Atalantës të ketë sukese të mëdha si në Itali, ashtu edhe në Evropë, sepse e meriton. Mendoj se është një shembull sesi mund të administrohet një klub”.