Shtohen lojtarët shqiptar në Superligën zvicerane, kampionat që transmetohet ekskluzivisht në Tring Sport. Mesfushori kuqezi Migjen Basha ka konfirmuar se karrierën do ta vazhdojë te Luzerni. Kështu ka konfirmuar lojtari për mediat kosovare, teksa kishte një periudhë të konsiderueshme që e ardhmja e tij ishte e pa qartë që pas largimit nga Torino në Serinë A.
Basha ka deklaruar se ka arritur me marrëveshjen me klubin e ri, aty ku aktivizohet edhe një tjetër futbollist shqiptar si Jahmir Hyka. Të shtunën, mesfushori ishte në stadiumin e Luzernit, ku shikoi ndeshjen Luzern – Basel, në të cilën luajtën plot tre shqiptarë. Pavarësisht humbjes së Luzernit, ai u bind për të vendosur që të kthehej në Zvicër pas 9 sezoneve të kaluara në Itali, mes Lukezes, Riminit, Frozinones, Atalantës dhe Torinos. Basha ishte lojtar i lirë, pasi në fund të sezonit të kaluar i skadoi kontrata me skuadrën “granata”.
Ai kthehet në Zvicër, që në fakt është vendlindja e tij, pasi ka lindur pikërisht në Lozanë. Ndërkohë që fillimet e karrierës i ka pasur pikërisht Lausanne Sport në vitin 2004.