Tenisti australian Thanasi Kokkinakis ishte surpriza e turneut të Miamit, teksa eleminoi Roger Federer që në raundin e dytë. Një fitore që padyshim vlen më shumë se çdo gjë në karrierën e 21-vjeçarit. Në raundin pasardhës ai u përball me një tjetër emër të njohur të tenisit botëror si Fernando Verdasco. Por një episod i ndodhur në mesin e ndeshjes tensionoi jo pak gjërat mes dy tenistëve. Fillimisht ishte Kokkinakis që u ankua tek gjyqtari se kundërshtari i tij fliste shumë gjatë lojës dhe e shpërqëndronte. Kurse Verdasco u mbrojt me faktin se gjatë kohës që ai realizonte shërbimet, njëri prej tifozëve pas tij e shqetësonte vazhdimisht për t’i terhequr vëmendjen. Kështu tenisti spanjoll kërkoi përjashtimin e tifozit në fjalë nga tribuna, që në fakt rezultoi të ishte babai i kundërshtarit të tij Kokkinakis.
Dy tenistët patën një debat verbal me njëri-tjetrin, teksa Verdasco i kërkoi falje australianit, por rregullat mbeten të njëjtat edhe për familjarët, ndërsa Kokkinakis u mbrojt duke thënë se babai i tij thjesht po e mbështeste. Që nga ai moment, ndeshja vazhdoi normalisht, me spanjollin Verdasco që përmbysi rezultatin dhe fitoi me shumë vështirësi 2-1 me sete. Ndërkohë, tenistët gjatë largimit nuk u panë të ishin shumë miqësor me njëri-tjetrin.
Pas ndeshjes, Verdasco u shpreh i lumtur për triumfin dhe shtoi se kundërshtari i tij e kishte lodhur tej mase, ndërsa sa i përket episodit të ndodhur, spanjolli 34-vjeçar përsëriti se rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe se nuk duhet të ndikosh në atë mënyrë në një ndeshje mes profesionistësh.