Lionel Messi shënoi të dielën një tjetër arritje historike duke kapur kuotën e 400 golave në La Liga. Në sfidën që Barcelona luajti kundër Eibarit, katalanasit fituan 3-0 duke rifituar 5-pikët distance në krye të klasifikimit. Në fillim në Camp Nou realizoi Suarez, i shërbyer ky i fundit nga braziliani Coutinho. Në pjesën tjetër, Suarez asistoi Messin, i cili vulosi rekordin si i pari lojtar që arrin një statistikë të tillë. Argjentinasi shënoi golin e 400-të në ndeshjen e tij të 435-të në kampionatin spanjoll. Shifra këto mbresëlënëse që theksojnë edhe njëherë shprehjen metaforike se Messi vjen nga një planet tjetër. Suarez sigloi ndeshjen në shifrat 3-0 teksa Barcelona kryeson kampionatin me 43 pikë, 5 më shumë se Atletico.
Pas ndeshjes, trajneri Ernesto Valverde vlerësoi jashtëmase argjentinasin. 31-vjecari është i dyti që shënon 400 gola në kampionatet më të forta të Evropës. Crisitano Ronaldo ka shënuar gjithashtu mbi 400 herë, por duke luajtur në Angli, Spanjë dhe tashmë Itali. Messi është i vetmi që e ka këtë shifër me një skuadër. Statistika interesante janë nxjerrë nga shtypi spanjoll, ku për shembull Messi rezulton të ketë shënuar ndaj 37 skuadrave të ndryshme, më shumë se kushdo. Ai ka realizuar më shumë se sa 29 klube në historinë e tyre të La Ligas. Ndërkohë Sevilla mbetet skuadra më e parapëlqyer. Messi i ka shënuar andaluzëve 25 herë në 24 ndeshje ndaj tyre, pra thjesht i jashtëzakonshëm.