Lionel Messi shkroi këtë fundjavë një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm të karrierës së tij. Argjentinasi 31-vjecar, kundër Sevillas në La Liga realizoi tripletën e tij të 50-të. Padiskutim legjenda e gjallë e futbollit katalan prodhoi një nga ndeshjet më të mira të sezonit duke i dhënë Barcelonës fitoren 4-2, fitore që i mban ata në krye të klasifikimit me 57 pikë, 10 më shumë se sa Atletico Madrid. Shtatshkurtri argjentinas numëron këtë sezon 25 gola në 25 ndeshje të kampionatit ndërsa në tërësi ka 33 gola në 32 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet. Shifrat e tij janë totalisht të çmendura, pasi argjentinasi ka kontribuuar deri më tani edhe me 18 asiste.
Rekordet e Messit po vazhdojnë në seri, ashtu sikurse edhe në vitet e kaluara, ndërsa forma nuk ka pasur aspak luhatje edhe pse mosha po kalon edhe për të. Në kampionat lojtari i vetëm që po përpiqet ta ndjekë dhe që nuk është i Barcelonës, është Cristhian Stuani i Gironas me 13 gola. Ndërkohë shtypi sportiv ka rreshtuar edhe statistikat totale. 650 gola për Messin në 585 ndeshje me Barcelonën dhe 65 të tjera me Argjentinën. 150 gola argjentinasi i ka realizuar vetëm në 50 ndeshje me tripleta, ndërsa nëse i shtojmë edhe 235 asistet, totali i kontributit të 31-vjecarit deri më sot ka qenë në 820 gola. Me këtë rendiment, Messi shpreson të konkretizojë të tjera trofe, ku ai i Champions League-ës i mungon prej katër vitesh. Kujtojmë se totali i trofeve të fituara me Barcelonën, janë plot 33, 4 prej të cilëve Champions.