Messi mposht Ronaldon. Kësaj radhe jo në fushë, por në listën e ‘Forbes’ për 100 sportistët më të paguar në botë. Argjentinasi i Barcelonës udhëheq këtë renditje të rifreskuar të prestigjozes ‘Forbes’, me një total prej plot 127 milionë dollarësh. Ronaldo e ndjek në vendin e dytë, disi i distancuar pasi ka arkëtuar gjatë një viti 109 milionë dollarë. Podiumi i kësaj liste plotësoshet përsëri nga një futbollist. Ylli brazilian i PSG, Neymar, që ka arkëtuar 105 milionë dollarë. Në vendin e katërt renditet një boksier, kampioni i botës, Canelo Alvarez me 94 milionë dollarë, që lë pas vetes me një diferencë prej vetëm 600 mijë dollarësh tenistin Roger Federer. Në vendet 6 dhe 7 renditen dy lojtarë të futbollit amerikan, Russell Wilson dhe Aaron Rodgers. Ndërsa 10-shja e parë plotësohet me 3 yje të NBA; LeBron James, Steph Curry e Kevin Durant.
Në renditjen rreth fitimeve që vijnë nga sporti që praktikojnë, Messi mban sërish vendin e parë. Nga paga dhe bonuset në futboll, argjentinasi fiton 92 milionë dollarë në vit. Por në këtë rast, lojtari i Barcelonës e ndaj kryesimin me meksikanin Canelo Alvarez, i cili fiton po 92 milionë dollarë nga triumfet në boks. Ndërsa sa i përket kontratave sponsorizuese dhe fitimeve të tjera, lista kryesohet nga Roger Federer. Ikona e tenisit në 12 muajt e fundit ka fituar plot 86 milionë dollarë. Vendi i dytë në këtë aspekt mbahet nga Tiger Woods. Golfisti amerikan ka rigjetur ditët e tij më të mira dhe i ka siguruar vetes rreth 54 milionë dollarë të tjera. Ndërsa me vetëm 1 milion më pak se Woods, vendin e tretë e mban LeBron James i Los Angeles Lakers.