Messi ka një klauzolë të veçantë në kontratë që e lejon të largohet

Sport

Emri i Lionel Messit është i lidhur ngushtë me historinë e Barcelonës aq sa askush nuk mund ta mendojë argjentinasin larg fanellës katalanase. Mirëpo ‘El Pais’ dhe më pas edhe ‘Goal’, kanë konfirmuar se në kontratën aktuale të 5 herë fituesit të ‘Topit të Artë’ ka një klauzolë të veçantë. Raportimet e fundit thonë se lojtari ka të drejtë të largohet lirisht nga Barcelona pasi ai të mbushë 32 vjeç. Këtë moshë, Messi e arriti në qershor, çfarë do të thotë se lojtari mund të largohet pa asnjë problem nga Barcelona, në rast se ai e dëshiron këtë gjë. Por klauzola parashikon që nëse Messi vendos të ndryshojë skuadër, kjo gjë duhet të ndodhë vetëm në fund të muajit qershor dhe jo në gjysmën e sezonit.

Shumë tifozë dhe pjesa më e madhe e skuadrës së Barcelonës nuk besojnë se Messi do t’i befasojë me një vendim për t’u larguar, me presidentin Bartomeu që ka filluar disa tratativa për përmirësimin e kontratës së Messit. Numri 1 i Barcelonës megjithatë nuk nxiton, duke shtuar se argjentinasi është një lojtar inteligjent, i cili do t’i peshojë gjërat dhe do të vendosë atë që e bën të ndihet më mirë. Sapo Messi të vendosë për përmirësimin e kontratës, atëherë Bartomeu është i gatshëm të firmosë çdo gjë, pasi për ta, Messi është lojtari më i mirë në histori. Ndërkohë mbrojtësi i katalanasve, Gerard Pique tha se askush nuk e imagjinon që Messi të luajë për një skuadër tjetër. Por edhe nëse kjo gjë ndodh, Pique tha se argjentinasi e ka fituar të drejtën për t’u larguar lirisht nga Barcelona.