Neymar kërkoi me ngulm gjatë verës transferimin tek Barcelona, ku të gjithë e prisnin krahëhapur, por klubi katalanas nuk gjeti dot një marrëveshje me PSG. Braziliani tashmë është kthyer në fushën e lojës dhe madje ka qenë vendimtar për kampionët e Francës, ndonëse mendja e tij vijon të jetë në Barcelonë. Por në një merkato që pa një Real Madrid të ishte ndër skuadrat më aktive, tek katalanasit i trembeshin faktit se Neymar mund të transferohej tek rivalët e tyre. Këtë e pranon edhe kapiteni i kampionëve të Spanjës, Lionel Messi, i cili në një intervistë në radio ka deklaruar se e besonte shumë që një skenar i tillë mund të ndodhte. Messi u shpreh se Real Madrid kishte nevojë për ndryshime dhe ardhja e një lojtari si Neymar, mund të ishte goditja e duhur për Florentino Perez.
Por pavarëisht prapaskenave që ndodhën në merkato, Neymar vijon të jetë lojtar i PSG, të paktën për momentin. Messi deklaroi se ardhja e brazilianit do ta përforconte ndjeshëm skuadrën, por edhe me grupin aktual, Barcelona sipas argjentinasit i ka të gjitha mundësitë për të bërë gjëra të mëdha. Katalanasit nuk e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, por Messi nuk shqetësohet, pasi sipas tij me kalimin e kohës të gjitha gjërat do të shkojnë në vendin e duhur. Ylli i katalanasve u ndal edhe tek Ousmane Dembele, i cili u bë protagonist në fitoren 4-0 ndaj Sevillas, jo vetëm me golin, por edhe me kartonin e kuq. Messi u shpreh se Dembele e ka të vështirë të flasë spanjisht dhe fjalitë nuk i formon në mënyrën më të mirë të mundshme, por ndoshta gjyqtari u nxitua edhe për shkak të presionit të madh që kishte në ato çaste.