MESSI DREJT RIKTHIMIT ME BARCEN? PER TEBAS ESHTE E NDERLIKUAR

Sport

Lionel Messit i skadon kontrata me Paris Saint-Germainin këtë verë dhe zërat se ai do të rikthehet në “Camp Nou” po shtohen gjithnjë. Së fundi, argjentinasi mësohet se ka kaluar disa ditë në Barcelonë, duke pushuar, para se t’i bashkohet stërvitjes me PSG-në. Kthimi në qytetin “e tij” i ka shërbyer lojtarit argjentinas që të ribashkohet me miqtë dhe ish-shokët e skuadrës katalanase. Ai ishte duke darkuar në restorantin “Enigma”, së bashku me Sergio Busquets, Jordi Alba, Pepe Costa dhe partneret përkatëse. Pikërisht, kapiteni i Barçës po pret të mësojë se çfarë do të ndodhë me Leon, përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.

Informacionet për rikthimin e Leos te Barcelona kanë qenë të vazhdueshme ditët e fundit, por drejtori i futbollit të katalanasve, Mateu Alemany, nuk ka dashur të “zbërthehet” përpara ndeshjes kundër Rayo Vallecano: “Atij i pëlqen shumë të vijë, ishte në Barcelonë për disa ditë si zakonisht, por si klub nuk kishim asnjë kontakt me të”. Prioriteti i drejtuesve sportivë të klubit të Barçës tani është që të fokusohen matematikisht në marrjen e titullit të La Liga-s, përpara se të mendojnë për përforcime në funksion të sezonit të ardhshëm. Kjo nuk do të thotë se ata nuk po punojnë për rikthimin e Messit, të cilit i kanë bërë një propozim financiar. Teksa po bisedohet edhe me La Liga-n për ta futur në “Fair-Play Financiar”.

Megjithatë, ky rikthim, ndonëse me parametra zero, parashikohet i vështirë për Barçën për shkak se duhet të ulë ndjeshëm pagat e futbollistëve si dhe largimin e disa lojtarëve. Gjithcka është konfirmuar edhe nga presidenti i La Ligas, Tebas. “Nëse më pyesni sot, kthimi i Messit në Barça është shumë i komplikuar. Ne duhet të shohim se si evoluon kjo, por duhen plotësuar disa kushte, si largimet e lojtarëve dhe uljet e pagave – atëherë ju keni për të ditur se çfarë rroge do të kishte Messi. Barcelona nuk është si PSG. Barça duhet të ulë disa paga për të regjistruar lojtarë të rinj për shkak të Fair Play”, tha Tebas për RMC. Messi u largua nga Barcelona në verën e vitit 2021 për t’u transferuar si lojtar i lirë te Paris SG.