Messi dhe Ramos mund të largohen nga PSG në fund të sezonit

Sport

Eliminimi I hershëm I PSG nga UEFA Champions League, ka trazuar ujërat në “Parc des Princes”. Në mbyllje të këtij sezoni, në klub parashikohet të ndodhë një revolucion, ku disa lojtarë, pritet të largohen nga skuadra. Sipas mediave franceze, kjo valë, mund të përfshijë edhe dy emra tepër të rëndësishëm, sikurse janë Lionel Messi dhe Sergio Ramos.

Si sulmuesi, ashtu edhe mbrojtësi, janë në muajt e tyre të fundit të kontratës me kampionët e Ligue 1. Për këtë arsye, e ardhmja e tyre është diskutuar jo pak, ndërsa duke iu referuar këtu raportimeve, si argjentinasi, ashtu edhe spanjolli, duhet të bëjnë gati valixhet për t’u larguar nga “Parku I Princave”.

Nëse për Messin ka ende edhe një mundësi që të rinovojë, për Sergio Ramos është tërësisht e kundërta. Mesa duket, palët nuk janë dakordësuar mes tyre për të rinovuar, e si pasojë, ish-kapiteni I Real Madrid, tashmë duhet të shohë për një tjetër klub.

Në fakt, përgjatë këtij edicioni futbollistik, Ramos ka treguar një gjendje të qëndrueshme fizike, duke u aktivizuar 36 ndeshje në të gjitha frontet, thuajse si titullar. Mirëpo, mosha 36 vjeçare e lojtarit, nuk garanton nga e ardhmja për drejtuesit e klubit, të cilët kanë dalë në përfundimin se Ramos, duhet të largohet.