Mesi tërhiqet nga Argjentina

Sport

messi146

Lionel Mesi ka mbyllur në moshën 29 vjeçare karrierën e tij me kombëtaren e Argjentinës. Ai është shprehur se e kishte të pamundur të vazhdonte në përfaqësuesen pas dështimeve radhazi me të.

Ky vendim është marrë pas humbjes me penallti në finalen e Kupës së Amerikës përballë Kilit, ku Mesi ishte një nga lojtarët që gaboi nga pika e bardhë për kombëtaren e tij.

“Kaq ishte, e mbylla me ekipin kombëtar”, tha Mesi në fund të ndeshjes, ende i përlotur pas finales së katërt që humb me kombëtaren e vendit të tij.

“Kjo nuk po funksionon për mua. U bënë katër finale radhazi. E kam marrë vendimin, të fitoja ishte ajo që dëshiroja më shumë. Nuk ndodhi, ndaj mendoj se kaq ishte. Kjo është ajo që ndjej dhe mendoj tani. Është një trishtim i madh, të dhemb të mos jesh kampion”, deklaroi Mesi.

Futbollisti i cili debutoi me kombëtaren në vitin 2005, ka luajtur 112 ndeshje me fanellën e Argjentinës duke shënuar 55 gola.

Bilanci i tij është negativ, pasi ka humbur tre finalet e Kupës së Amerikës në të cilat ka marrë pjesë (2007, 2015, 2016) si dhe finalen e Kupës së Botës 2014. /albeu.com/