Merr kthesë situatë e Kylian Mbappe, lojtari mund të rinovojë me PSG

Sport

Telenovela më e madhe e merkatos së verës, padyshim që mund të konsiderohet diskutimi i të ardhmes së Kylian Mbappe, telenovelë që mesa duket, mbylljen do ta ketë po në Francë. Për shkak se refuzoi të rinovonte në muajin Korrik, Mbappe u la jashtë fazës përgatitore që Parisi zhvilloi në Azi, teksa largimi i lojtarit me parametra zero pas një viti dukej i pashmangshëm.

Megjithatë, në fndjavën që lamë pas, situata ka marrë një kthesë 180 gradë. Sikurse ka njoftuar vetë PSG në kanalin zyrtar, drejtuesit e klubit, kanë zhvilluar një takim me Kylian Mbappe dhe palët kanë arritur në një përfundim pozitiv. Lojtari do të bashkohet sërish me skuadrën e parë dhe do të fillojë normalisht stërvitjen.

Ky është një mesazh që sulmuesi nuk do të largohet këtë verë. Madje, presidenti Al Khelaifi i ka kërkuar futbollistit që të mos largohet me parametra zero në verën e ardhshme, çka nënkupton që në një të ardhme të afërt, Mbappe, mund të rinovojë edhe për një tjetër sezon me PSG. Marrëveshja është arritur në mënyrë që francezi të shitet pas një viti dhe Parisi të ketë mundësi që të mos dalë duarbosh nga ky operacion.

Këto zhvillime që kanë ndodhur në Paris, padyshim që kanë lënë një shije të hidhur në Madrid, atje ku Reali po fërkonte duart për të siguruar një futbollist të tillë me kosto zero. Deri në fund të merkatos, mbetet për t’u parë nëse Los Blancos do të provojnë transferimin e një sulmuesi, apo do t’i besojnë organikës që kanë në dispozicion.

Për t’u rikthyer tek Kylian Mbappe, 24 vjeçari e pa në tribunë ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Lorient në “Parc des Princes”, që u mbyll me rezultatin 0-0. Megjithatë, duke nisur që nga takimi i radhës, francezi do të jetë në dispozicion të tranerit Luis Enrique.