Me shortin e fazës së grupeve merr jetë zyrtarisht edhe Champions League me formatin e ri për 3-vjeçarin nga 2018 deri në 2021-shin, që mbi të gjitha parashikon hyrjen e garantuar të 4 klubeve më të mira nga 4 kampionatet kryesore, Spanjë, Angli, Itali e Gjermani. Por jo vetëm kaq. Do të ketë edhe orarare të reja (me 4 ndeshje në 18:55 e 4 të tjera në 21:00), premio edhe më të larta, apo edhe një zëvendësim i katërt në rast se ndeshjet e fazës me eleminim direkt shkojnë në shtesë. Të shumta janë risitë, por të paktën për momentin nuk pritet hyrja e VAR-it. Megjithëse presioni i klubeve është i madh në këtë drejtim, ndonëse presidenti i UEFA-s Ceferin do të preferonte të përdorej nga sezoni i ardhshëm.
Mbi të gjitha, ky edicion i Champions do të kujtohet për të ardhurat vjetore “rekord”, që shkojnë deri në një shifër prej 3.5 miliard eurosh. Nga këto, rreth 1.95 miliard euro do të shpërndahen për skuadrat pjesëmarrëse, me një rritje prej gati 500 mijë eurosh në krahasim nga sezoni i kaluar. Vetëm për pjesëmarrjen, secila nga 32 klubet përfitojnë shumën fikse prej 15 milionë eurosh, kurse pjesa tjetër varion në bazë të kritereve të “të drejtave televizive” dhe “renditjes historike” që varet nga ecuria e skuadrave në dekadën e fundit të Champions. Kjo, pa llogaritur që fitimi i të gjithë ndeshjeve deri në finalen e Madridit, mund të sjellë në total 82 milionë euro për një skuadër, vetëm prej rezultateve. Pra është një Champions më i pasur, në çdo aspekt!