Pritja e gjatë ka marrë fund. Pas 11 viteve, Milani rikthehet në çerekfinale të UEFA Champions League. Në 1/8-tat, kuqezinjtë eliminuan skuadrën e Tottenham, me rezultatin 1-0 në harkun e 180 minutave.
Pas suksesit në “San Siro” në sfidën e vajtjes, akti i kthimit në Londër u mbyll me shifrat 0-0, ku asnjë prej skuadrave nuk mundi ta dërgonte topin në rrjetë, ndonëse mundësitë nuk munguan. Nuk ndodhte që nga Shtatori i 2017-tës që në stadiumin e Tottenham, një ndeshje të përfundonte me rrjeta të paprekura, plot 147 ndeshje njëra pas tjetrës në të gjitha frontet.
Me rreshtimin e ri në prapavijë, duke i besuar treshes, Tomori, Kalulu dhe Thiaë, duket sikur trajneri Stefano Pioli ka gjetur formulën e duhur, në mënyrë që skuadra e tij të mos pësojë. Nuk ndodhte që nga edicioni 2006/07 që Milani nuk pësonte asnjë gol në të dyja ndeshjet e raundit të 1/8-tave. Në 180 minuta, Spurs, nuk mungën të depërtonin dot përmes prapavijës kuqezi.
Nga ana tjetër, rrugëtimi i Tottenhamit të Antonio Contes në Champions League përfundon këtu. Me shumë mundësi, kjo ishte një ndeshje që vulosi edhe të ardhmen e teknikut italian në krye të skuadrës angleze.
53 vjeçari gjendet në muajt e fundit të marrëveshjes me Spurs dhe probabiliteti është i madh që në fund të sezonit, Conte dhe Tottenham të ndajnë rrugët me tyre.