Të gjithë të çmendur pas portierëve. Fundi i sezonit të kaluar tregoi qartë se një klub i madh si Liverpooli kishte nevojë medoemos për një portier të denjë për të diskutuar ndeshje të mëdha si për shembull një finale Champions League-e. Me gafat e tij, 25-vjecari Karius diktoi humbjen e të kuqve, të cilët menjëherë sapo filloi merkatoja, nxorrën nga arkat 62 milionë euro dhe investuan te portieri brazilian Alisson, moshatar ky me gjermanin. Por edhe Reali i Madridit kishte një çështje më vete kur vjen puna te portieri. Zidane ishte fans i madh i kostarikanit Navas, Presidenti Perez jo! Kjo ishte një nga arsyet se pse francezi vendosi të largohej në fund të sezonit, edhe pse ai refuzoi ta konfirmonte këtë gjë. Perez dhe fiksimi i tij për të ndryshuar portierin u konkretizuan këtë javë me operacionin e rikthimit të belgut Courtois në Madrid. 26-vjecari, i lartë 1 e 99, i kushtoi 13 herë kampionëve të Evropës 35 milionë euro. Interesante është se tashmë luan për rivalët e ish-skuadrës së tij, Atleticos, me të cilët diskutoi 3 sezone në vitet 2011-2014. Por edhe pse Courtois ishte portieri më i mirë i Kupës së Botës, tifozët e Chelsea-it nuk do t’ia harrojnë kurrë gafat në sfidën me Barcelonën në Champions League. Pikërisht mënyra se si ai i pësoi 3 golat në Camp Nou, e zbehu ndjeshëm vlerësimin për shtatlartin belg. Për të pasur një portier si i ka hije, Blutë nxorrën plot 80 milionë euro dhe i shpenzuan për 23 vjecarin bask, Kepa Arrizabalaga. Shtatlarti dikur fiksim i Realit, theu kështu rekordin e vendosur po gjatë kësaj vere si portieri më i shtrenjtë i të gjitha kohërave. Kështu kjo verë mund të cilësohet fiks, merkatoja e portierëve.