Prej javësh, emri i Nico Williams përmendet në mediat sportive europiane, për një nga lëvizjet më të rëndësishme që mund të ndodhë në këtë merkato verore. Barcelona dhe Bayern Munich janë shfaqur të gatshme të shpenzojnë shifra të mëdha për të bërë realitet transferimin e 22-vjeçarit. Vetë Williams e pati shprehur dëshirën për të luajtur krah Yamal tek Barcelona, por pikërisht atëherë kur mendohej se kalimi i tij në Katalonjë ishte çështje kohe, vjen një lajm i befasishëm nga Spanja. Nico Williams ka rinovuar kontratën e tij me Athletic Bilbao-n deri në vitin 2035, duke befasuar të gjithë botën e futbollit me një video që konfirmonte lajmin e ku vetë futbollisti shprehej se është i lumtur në skuadrën baske, aty ku ndjen se është edhe shtëpia e tij. Kontrata e vjetër e Nico Williams skadonte në qershorin e 2027-ës, ndërkohë që klauzola e largimit të tij është parashikuar të jetë deri në 100 milionë euro.
Nga ajo që zbulohet, tratativat mes lojtarit dhe Barcelonës hasën probleme në momentin kur Williams dhe agjenti i tij, kërkuan një garanci për regjistrimin e lojtarit dhe federimin e tij në kohë, për të mos patur situata të ngjashme si ajo e Dani Olmo-s, i cili për shkak të një problemi të tillë, humbi disa ndeshje. Këto kërkesa të lojtarit, tek Barcelona i kanë konsideruar të papranueshme, duke bërë që gjërat të mos avancojnë më tej. Nga ana tjetër, Bayern është përpjekur të bindë Athletic Bilbao-n të heqë dorë nga sulmuesi, por klubet nuk kanë gjetur akordin e duhur financiar. Kështu, Nico Williams ka vendosur të qëndrojë tek skuadra baske dhe rinovimi për 1 dekadë i kontratës, dëshmon se ai mund t’i ketë mbyllur për momentin diskutimet e një largimi të mundshëm gjatë kësaj merkatoje verore. Në Spanjë, gjithësesi, nuk do të habiteshin nga ndonjë surprizë e radhës në javët në vijim, por për momentin, Nico Williams do të mbetet lojtar i Athletic Bilbao-s.