Merkato, Viktor Gyokeres tek Arsenali; mbyllet ‘telenovela’ e suedezit me Sportingun

Sport

Nga një hero i pakrahasueshëm, në një problem të madh të klubit. Historia e Viktor Gyokeres me Sportingun mund të ngjasojë me ato të shumë lojtarëve të tjerë që kanë hasur probleme për t’u transferuar aty ku iu është premtuar, por kjo e suedezit, është prova më e mirë se premtimet mbahen vetëm kur janë në letër.

27-vjeçari do të jetë nga sezoni i ardhshëm pjesë e Arsenalit, pas një sage të gjatë bisedimesh, replikash e distancimesh. Klubi anglez ka gjetur akordin final me Sportingun, që në fund ka marrë atë se çfarë ka dëshiruar. Për këtë, është dashur edhe sakrifica e vetë lojtarit, apo e agjentit të tij. Arsenali ka pranuar të paguajë në arkat e klubit nga Lisbona plot 63,5 milionë euro, ndërkohë që 10 milionë të tjera do të vijnë në formë bonusesh. Kështu, kërkesa e presidentit të Sportingut, për të paktën 73 milionë euro për kartonin e Gyokeres tashmë është plotësuar. Vetë lojtari ka pranuar të ulë pagën e propozuar fillimisht nga Arsenali, për të ndihmuar klubin anglez të kompletonte marrëveshjen. Po ashtu, edhe agjenti i sulmuesit ka hequr dorë nga pjesa më e madhe e komisioneve të tij, për t’i vendosur këto para në dispozicion të transferimit të kartonit.

Në 102 ndeshje me fanellën e Sportingut, Gyokeres realizoi 97 gola e shërbeu 28 asiste, duke qenë simboli i dy titujve radhazi të fituar nga ‘luanët’ e Lisbonës. Për tifozët kryeqytetas, ai do të konsiderohet gjithnjë si një ndër më të mirët e të preferuarit e tyre. Edhe vetë Gyokeres e ka pranuar mirënjohjen për tifozët e Sportingut, por pas peripecive të kaluara në këtë merkato, suedezi nuk do ta kthejë kokën pas për të rikthyer një bashkëpunim në të ardhmen me drejtuesit e klubit portugez.

Tek Arsenali, do të nisë aventura më e rëndësishme e karrierës së tij, aty ku të gjithë e presin të vijojë me të njëjtin rendiment golash e për t’u kthyer pse jo, në një emblemë të sezonit të ri në ekipin e trajnerit Mikel Arteta.