Pa kaluar 24 orë nga konfereca për shtyp e kapitenit te Juventus, Gigi Buffon, ku konfirmonte se do të largohej nga bardhezinjtë pas 17 vitesh, kanë filluar lëvizjet e para të skuadrave për shërbimet e portierit veteran. PSG thuhet të jetë klubi që ka nisur menjëherë kontaktet me 40-vjeçarin, ku sipas “L’Equipe” dhe “La Gazzetta dello Sport”, atij i është ofruar një kontratë 2-vjeçare, me një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon. Për momentin nuk ka asgje të konfirmuar nga ana e të dyja palëve, por burime pranë gardianit të portës thonë se Buffon ka dëshirë të luajë ende.
Në konferencën për shtyp ditën e enjte, ai deklaroi se e kishte mbyllur edhe me kombëtaren e Italisë, por në asnjë moment nuk shprehej se do të tërhiqej përfundimisht nga futbolli i luajtur. Buffon ka kërkuar të marrë kohën e tij në lidhje me vendimin nëse do të vazhdojë ende të luajë apo jo, por të milionerët e PSG, duket se kanë gati formulën që mund ta bindë veteranin të jetë pjesë e futbollit aktiv edhe për të paktën 2 vite të tjera.