Edhe pse u përfol shumë për një transferim të Enzo Fernandez tek Chelsea në merkaton e janarit, diçka e tillë nuk duket se do të ndodhë. Të paktën për momentin, nuk ka asnjë marrëveshje mes Benfica-s dhe Chelsea-t për një lëvizje të tillë, ndryshe nga ajo që u raportua në fillim. Enzo Fernandez thuhej se do të transferohej tek ‘blutë’ e Londrës brenda janarit, sapo të paguhej vlera e klauzolës së largimit të tij nga Benfica, që llogaritet në diçka më tepër se 120 milionë euro. Chelsea deri më tani nuk ka pranuar ta paguajë një shumë të tillë dhe oferta e anglezëve deri më tani nuk i kalon 85 milionë eurot. Drejtuesit e Chelsea-t dhe ata të Benfica-s janë takuar disa herë në ditët e fundit, por deri më tani nuk ka asnjë akord për transferimin e Fernandez në Londër. Benfica nuk pranon të lejojë largimin e argjentinasit pa u plotësuar kërkesa e tyre për kartonin e tij dhe duke parë interesimin e madh të disa klubeve me peshë në Europë, është e kuptueshme se pse portugezët nuk kanë pranuar për të bërë kompromis me propozimin fillestar të Chelsea-t. Enzo Fernandez u bë pjesë e Benfica-s në merkaton verore të 2022-shit, teksa për kartonin e tij u paguan 14 milionë euro tek River Plate, skuadër në të cilën ai është formuar. Mesfushori luajti një rol të rëndësishëm për Argjentinën në fitimin e ‘Kupës së Botës’ në Katar dhe për këtë arsye, shumë klube kanë rritur interesin për të, me Benfica-n që kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e mundshme e tij.