Merkato, Liverpool siguron firmën me sulmuesin Hugo Ekitike

Sport

Ashtu siç ishte përfolur, Liverpool-i ka arritur të sigurojë një sulmues me peshë, përpara nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri. Hugo Ekitike do të jetë pjesë e kampionëve të Anglisë, pas një transferimi të rëndësishëm nga skuadra e Eintracht Frankfurt. Plot 95 milionë euro i ka kushtuar Liverpool-it kartoni i sulmuesit 23-vjeçar, që do të shihet si një pikë refereimi në ekipin e trajnerit Arne Slot. Ekitike e mbylli sezonin e kaluar me 22 gola e12 asiste, çfarë kanë mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të rëndësishme. Newcastle kishte shfaqur po ashtu dëshirën për të firmosur me francezin. Madje, bardhezinjtë ishin gati të paguanin edhe më shumë se sa Liverpool-i, por ka qenë dëshira e vetë lojtarit që thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ekitike dëshironte të ishte pjesë e projektit të Liverpool-it dhe tashmë kalimi i tij në ‘Anfield’ është bërë realitet. I formuar në akademinë e Reims, Hugo Ekitike filloi të binte në sy për talentin e tij që në debutimin si profesionist. Paris SG e tranferoi në verën e 2022-shit në formë huazimi me detyrim blerje, duke paguar më shumë se 28 milionë euro për kartonin e tij, një vit më vonë. Kryeqytetasit francezë nuk ia dolën t’i jepnin minutazhin e duhur, duke qenë se ishin të mbushur me yje në fazën sulmuese dhe Eintracht Frankfurt përfitoi nga situate dhe vendosi të shpenzonte rreth 32 milionë euro për Ekitike, që tani duke se u ka kthyer investimin mbrapsht drejtuesve të klubit gjerman.
Për Liverpool-in, kjo ishte blerja e katërt e rëndësishme e kësaj vere. Pas shpenzimeve të rëndësishme për Jeremie Frimpong, Milos Kerkez dhe Florian Wirtz, ekipit të Slot i bashkohet edhe Ekitike, duke e çuar në më shumë se 300 milionë euro, kuotën e shpenzimeve të ‘the reds’ gjatë kësaj vere.