Merkato, Jose Mourinho ka gati 50 milionë paundë për Raphael Varane të Real Madrid

Sport

Raphael Varane66

Eleminimi i Manchester United nga UEFA Champions League duket se ka vënë në lëvizje drejtuesit e “djajve të kuq”, të cilët do të kërkojnë të përforcojnë ekipin për të mos patur një tjetër sezon si ky aktuali.
Një nga dëshirat e vjetra të trajnerit Jose Mourinho por edhe te vetë klubit është qendërmbrojtësi francez i Real Madrid, Raphael Varane.
Sipas asaj që konfirmojnë mediat angleze, trajneri portugez ka kërkuar nga klubi për të bërë një ofertë prej 50 milionë paundësh, për të marrë shërbimet e 24-vjeçarit, aq sa edhe vlerësohet për momentin kartoni i tij.
Megjithatë tratativat thuhet të jenë vetëm në fazat e para pasi fillimisht duhet bindur vetë lojtari për t’u transferuar në “Old Trafford”, pasi në kryeqytetin spanjoll deri më tani gjithçka shkon më së miri për të.
Manchester United ka kërkuar të kishte në skuadër Varane që në vitin 2011, kur “djajtë e kuq” drejtoheshin ende nga Sir Alex Ferguson, dhe lojtari luante për Lens. Në atë kohë, ishte influenca e Zinedine Zidane që bëri që futbollisti të kalonte tek madrilenët dhe për sa kohë ai vazhdon të jetë trajner i Real Madrid, edhe largimi i Varane nga “Santiago Bernabeu” duket një mision i vështirë.