Dëshira e Viktor Gyokeres duket se më në fund do të bëhet realitet. Goleadori suedez flitet se është drejt transferimit të tij tek Arsenali, që për shumë specialistë shihej prej kohësh si lëvizja më e mirë për të dyja palët. Situata e Gyokeres tek Sportingu ishte tensionuar shumë në ditët e fundit. Premtimi i dhënë nga drejtuesit e klubit nuk është respektuar kundrejt lojtarit, që nga ana tjetër vendosi ultimatum për të mos u stërvitur me skuadrën. Megjithatë, tek Sportingu nuk duan që situatat të përkeqësohet, pasi kjo do të ndikonte jo pak edhe në çmimin e kartonit të lojtarit. Arsenali ende nuk ka një marrëveshje konkrete me klubin portugez, por të dyja palët duken optimiste se një akord do të arrihet shumë shpejt. Sa i përket Gyokeres, sulmuesi suedez thuhet se ka një dakordësim verbal me drejtuesit e skuadrës londineze sa i përket kohëzgjatjes së kontratës, pagës apo edhe bonuseve. Madje mediat portugeze kanë zbuluar një detaj interesant sa i përket termave personal të lojtarit me Arsenalin. Vetëm për të bërë realitet këtë lëvizje, Gyokeres ka vendosur të ulë kërkesat për pagën e tij dhe t’i kursejë klubit anglez edhe 2 milionë euro të tjera, me shpresën që gjërat të përshpejtohen sa më shumë. Nga ana tjetër, Sportingu nuk heq dorë nga kërkesa prej 70 milionë eurosh, pa llogaritur bonuset, për kartonin e sulmuesit 27-vjeçar, por kjo shifër nuk duket të jetë një problem për Arsenalin. Viktor Gyokeres ia ka dalë mbanë që ta vendosë emrin e tij mes golashënuesve më të mirë të Europës, duke fituar një reputacion si goleador. Në 52 ndeshje të sezonit që lamë pas, suedezi shënoi 54 gola e shërbeu 13 asiste në të gjitha kompeticionet, teksa si lojtar i Sportingut, numëron plot 97 gola e 28 asiste në vetëm 102 ndeshje. Nga ana tjetër, Arsenali e ka vuajtur mungesën e një golashënuesi më peshë në dy sezonet e fundit, prandaj mbërritja e mundshme e Gyokeres, mund të zgjidhë një problem të madh për trajnerin Mikel Arteta.
