Merkato, Edinson Cavani mund të rikthehet në Serie A

Sport

Edinson Cavani është një prej lojtarëve që në merkaton e verës do të jetë një sulmues i lirë, pasi i skadon kontrata me PSG-në. Palët kanë vendosur të mos e vazhdojnë më bashëpunimin për në edicionet e ardhshme. Për uruguajanin nuk munguan ofertat që në sezonin e kaluar, mirëpo shtatlarti vendosi të mos largohej nga Parku i Princave. Gjatë vitit të kaluar, Interi që kërkonte të merrte shërbimet e tij, ndërkohë që ishte edhe një preferencë e trajnerit Antonio Conte. Drejtuesit e klubit zikaltër tentuan të përfundonin bashkëpunimin me sukses, mirëpo ishte lojtari ai që në fund vendosi të mos pranonte marrëveshjen. Tashmë, një vit më vonë, rregullat e lojës kanë ndryshuar dhe sikurse raportojnë mediat italiane, Cavani dëshiron të transferohet tek Interi. Padyshim që kjo mund të shihej si një lëvizje shumë e mirë e 18 herë kampionëve të Italisë, duke qenë se nuk duhet të shpenzojnë absolutisht asgjë, për faktin se lojtari vjen me parametra zero. Në këto kushte, për Interin do të ishte përforcimi i dytë mjaft i rëndësishëm brenda pak muajsh, me vetëm pak para të shpenzuara. Kujtojmë që në merkaton e janarit, zikaltërit transferuan nga Tottenham mesfushorin Christian Eriksen, me danezin që i skadonte kontrata në verë, dhe kësisoj erdhi në San Siro për vetëm 20 milionë euro. Tashmë për të mbyllur marrëveshjen me Cavanin, një rol mjaft të rëndësishëm pritet të luajë tekniku Antonio Conte. Mbetet për t’ parë nëse italiani e sheh uruguajanin ende të vlefshëm për skemat e tij ose jo. Në anën tjetër, dëshira e lojtarit është të mbetet në Europë, dhe pak kohë më parë ka refuzuar një ofertë nga Amerika.