Merkato e janarit ka hyrë në fazën më vendimtare të saj, duke prekur direkt edhe disa nga futbollistët shqiptarë. Më i mundshmi për të lëvizur është Rei Manaj, që mund të huazohet te Frozinone, deri në fund të sezonit. Ndonëse gjithçka ka mbetur pezull, se Mançini nuk është fort i bindur. Ngulmues është interesimi i spanjollëve të Sporting Gijon, mirëpo sipas asaj që ka bërë të ditur agjenti i lushnjarit, “mundësia më e mirë për Manaj është pikërisht skuadra që debuton në Serinë A, teksa marrëveshja është praktikisht e mbyllur. Te Frozinone, Manaj do të gjejë edhe një tjetër shqiptar, si mbrojtësi Arlind Ajeti, i transferuar që gjatë nëntorit. Tani i takon Reit të tregojë veten nga këto muaj. Pse jo, me qëllimin për të bindur De Biasin që ta marrë në Francë.
Ndërkaq, nga momenti në moment pritet një lëvizje e Shkëlzen Gashit nga Baseli. Sulmuesi duket se po vlerëson mundësinë më të mirë, që do t’i garantonte edhe më shumë hapësirë aktivizimi. Për të mos rrezikuar të përfshihet në listën e të grumbulluarve për në Europianin e qershorit në Francë.
Në këtë prizëm nuk përjashtohet që edhe Mërgim Mavraj të arrijë deri në fund të merkatos të bindë Këlnin që ta huazojë. Aq më tepër që nuk e ka pritur mirë uljen në tribunë, për sfidën e parë të këtij viti që skuadra e shqiptarit luajti ndaj Shtutgartit në Bundesligë. Lënia jashtë shihet si një sinjal që në fund dëshira e Mavrajt të realizohet.
Gjiathashtu në horizont mund të shfaqet ndonjë lëvizje për Bekim Balajn nga Rijeka, që ia ka caktuar çmimin e kartonit në 3 milionë. Pwr sulmuesin ka interesim nga Turqia dhe Rusia, por mbetet të shihet se ç’do të ndodhë.