Merkato do ende kohë që të nisë, por emrat e futbollistëve shqiptar kanë nisur të përmenden sa i takon lëvizjeve të mundshme gjatë kësaj vere. Në plan të parë qendrojnë ata, që duhet të gjejnë një sistemim, siç është rasti i Ledian Memushajt. Mesfushori vlonjat që mbylli një sezon zhgënjyes me Beneventon në Serinë A, kërkon që të mbetet në kategorinë e parë italiane. Megjithëse deri tani i kanë ardhur oferta vetëm nga Seria B, ndër të cilat mund të përmendet ajo e Salernitanës. Megjithatë, për momentin është shuma prej 500 mijë eurosh, e kërkuar nga Benevento, ajo që tremb pretendenet për shqiptarin.
Një tjetër mesfushori kuqezi që mund të largohet nga Seria B është Migjen Basha. Ai humbi shansin për të qenë në finalet e “play-off”-it për ngjitjen në Serinë A me Barin. E sikur të mos mjaftonte kaq, ka shfryrë kundër drejtuesve të klubit, sa i takon penalizimit me pikë që erdhi për shkak të një cështjeje gjyqësore të klubit puljez. Në këtë situatë nuk përjashtohet që rrugët mes tij dhe Barit të ndahen. Natyrisht me synim aktivizimin, në një skuadër mes atyre të voglave të Serisë A.
Në dorën e klubit të tij, Hamburgut, duket se është e ardhmja e Mërgim Mavrajt. Mbrojtësit përflitet se i është hapur një dritë jeshile për qendrimin me të njëjtën skudër në Bundesligën 2. Drejtuesit e Hamburgut duket se duan t’i japin një tjetër shans. Mirëpo si përfundim, fjalën e fundit do ta thotë vetë mbrojtësi, i cili duket se ka objektiv të kalojë në një kampionat tjetër. Ndoshta në Turqi, ose Arabi.
Ndërkohë për Armando Vajushin, një nga legjionarët e spikatur në Serinë B italiane, ka dalë në skenë një tjetër skuadër, përveç Avelinos me të cilin shkondrani mbylli sezonin e fundit. Bëhet fjalë për Carpin, që ka bërë një ofertë për Vajushin, i cili gjithsesi duket se po bën ç’mos për të vazhduar me Avelinon.