Ndërkohë që sezoni 2019-2020-të në futboll për momentin nuk po luhet për shkak të Coronavirus, klubet kanë fillluar të mendojnë për merkaton e verës, në mënyrë që të përforcohen më tepër. Duket se së shpejti do të kemi një betejë jashtë fushe mes Chelseas dhe Arsenalit. Të dyja klubet londineze do të garojnë mes tyre për të firmosur me Samuel Umtiti, ndërsa për momentin nuk ka një ofertë zyrtare. Mbrojtësi i Barcelonës, nuk shihet me të ardhme në Camp Nou, për faktin se kohët e fundit ka pësuar disa dëmtime, duke bërë që edhe drejtuesit e klubit të mos kenë më shumë besim tek francezi. Në krahun tjetër, si Chelsea, po ashtu edhe Arsenal, këtë edicion kanë treguar se në prapavijë kanë shumë probleme, ndërsa pikërisht ky repart ka qenë edhe pika e tyre më e dobët. Sakaq, Umtiti këtë sezon, me katalanasit ka luajtur vetëm 11 ndeshje në La Liga, ndërsa një kalim në një tjetër klub, do t’i mundësonte shtatlartit më shumë minuta në dispozicion, dhe pse jo të merrte një rol mjaft të rëndësishëm.