Merkato/ Bayern Munich i rikthehet interesit për lojtarin e Barcelonës

Sport

Bayern Munich i rikthehet interesit për Frenkie De Jong. Së bashku me Manchester United, përgjatë merkatos së verës, kampionët e Gjermanisë ishin një prej klubeve më të interesuara për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Barcelonës.

Megjithatë, edhe pse pas shumë diskutimesh, si përfundim De Jong mbeti në “Camp Nou”. Por, ndonëse nuk u largua nga organika e skuadrës katalanase, kjo nuk e ka nxjerrë lojtarin në fjalë jashtë vëmendjes.

Bayerni është sërish aty. Sikurse raporton Mundo Deportivo, klubi bavarez, si fillim, kërkon që De Jong të vijë në formën e huazimit dhe në brendësi të marrëveshjes të përfshihet edhe mundësia e blerjes përfundimtare të kartonit.

Me fjalë të tjera, Bayerni kërkon të njëjtën formulë sikurse me Philippe Coutinhon 3 sezone më parë, ndonëse në fund të sezonit, Coutinho u rikthye sërish në “Camp Nou”, sepse Bayerni nuk e bleu.

Gjithmonë duke u mbështetur në raportimin e Mundo Deportivo, Barcelona është mëse e interesuar që De Jong të largohet përfundimisht nga klubi. Si fillim, nga shitja e tij jo vetëm që do arkëtoheshin miliona, por nga ana tjetër, do largohej një prej lojtarëve më të paguar të skuadrës. Pra emëruesi i përbashkët i gjithë kësaj situate është përmirësimi i stabilitetit ekonomik të klubit spanjoll.

Nuk mbyllet me kaq, sepse në rast shitje të Frenkie De Jong, Barcelona do i hapte rrugën një transferimi të mundshëm të Bernardo Sivla nga Manchester City, megjithësi klubi kampion i Anglisë kërkon rreth 100 mln euro për shërbimet e portugezit.