Merkato, Barcelona dhe Inter mendojnë për shkëmbimin Depay-Correa

Sport

Joaquin Correa duket gjithnjë e më larg Interit. Sulmuesi argjentinas nuk ka bindur me paraqitjet e tij përgjatë këtij sezoni, pavarësisht se ka mbështetjen e vazhdueshme të trajnerit Simone Inzaghi. Drejtuesit e Interit kërkojnë t’i japin një alternativë ndryshe skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit dhe sipas asaj që po flitet në orët e fundit, mendohet për një shkëmbim të Correa-s dhe Memphis Depay të Barcelonës. Edhe katalanasit kërkojnë prej kohësh largimin e sulmuesit holandez, i cili nuk bën më pjesë në planet e klubit. Kontrata e Depay-t me ‘bluagrana’-t do të përfundojë në fundin e sezonit aktual, por tek Barcelona kërkojnë ta largojnë për të mos e paguar më pagën e tij, ndërkohë që Correa shihet si një profil më i përshtatshëm për skemat e teknikut Xavi Hernandez. Sulmuesi 28-vjeçar prej disa ditësh është vënë në kërkim të skuadrës së re, ku thuhet se ka patur edhe kontakte me Juventus-in, për t’u transferuar aty me parametra zero në fund të këtij sezoni. Por nëse Inter-i ia del të gjejë një marrëveshje me Barcelonën, Depay nuk do t’i thoshte jo kalimit në Milano, ku do të kishte mundësinë të luante edhe në fazën me eleminim direkt të ‘Champions League’. Correa në anën tjetër ka kërkuar më shumë minuta në këmbët e tij, për të rifituar besimin e drejtuesve të Inter-it, por gjasa janë që një gjë e tillë të mos ndodhë, me klubin që do të lëvizë në drejtimet të tjera sa i përket përforcimit të repartit të sulmit.