Merkato, Arthur te Barcelona mund të vijë janarin e vitit të ardhshëm

Sport

arthur barcelona

E ardhmja e Barcelonës parashikon një tjetër brazilian në radhët e saj. Raporte të ndryshme në Spanjë bënë me dije këtë javë se zyrtarët e klubit katalan do të takohen me përfaqësues të Gremios për të finalizuar dekordësinë e marrëveshjes për talentin Arthur. Mesfushori 21-vjeçar është thënë prej kohësh se do t’i bashkohet Barcelonës, por Mundo Deportivo zbardhi si lajm faktin se Arthur mund të ndërrojë fanellë vetëm janarin e vitit 2019-të. Pra mesfushori me gjasa do të vijë në Spanjë vetëm vitin e ardhshëm, kjo gjithmonë nëse nuk arrihet plani B. Jorge Machado, agjenti i lojtarit pati konfirmuar në janar se marrëveshja mes palëve qe arritur, por nuk u tha se kur do të finalizohej transferimi i 21-vjecarit në La Liga. Në Spanjë këtë lëvizje të kësaj jave e kanë analizuar me faktin se Phelippe Coutinho nga ana e tij ka aplikuar për të marrë pasaportë portugeze, kjo përmes bashkëshortes së tij. Nëse ish-mesfushori i Liverpoolit merr dritën jeshile kjo do të mundësojë lirimin e një vendi për lojtarët jo-evropianë dhe për këtë Barca do mund të angazhojë më përpara 21-vjecarin, i cili s’ka lëvizur kurrë nga Brazili. Gjithsesi më parë Barcelonës i mbetet të zgjidhë llogaritë e zotërimit të lojtarit, ku 20 përqind të shërbimeve i ka biznesmeni Celso Rigo, i cili thuhet se mund të bëjë që operacioni “Arthur” të kushtojë deri në 30 milionë.