Merkato aktive për Real Madrid, ja emrat që mund të transferohen në “Santiago Bernabeu”

Sport

Real Madrid pritet të përfshihet nga merkato active në afatin kalimtar të verës. Teksa pritet vetëm zyrtarizimi, Los Blancos kanë siguruar shërbimet e mbrojtësit të Chelsea, Antonio Rudiger. Shtatlarti do vijë me parametra zero në Santiago Bernabeu, teksa ka firmosur një kontratë 4 vjeçare me kampionët e Spanjës, aty ku do përfitojë rreth 10 mln euro në sezon.

Më tej, 13 herë kampionët e Europës po mendojnë edhe për mesfushën, aty ku synohet një tjetër lojtar me kosto zero. Fjala është për Paul Pogba. Në fund të sezonit, francezi pritet të ndajë rrugët me Manchester United dhe një ndër destinacionet e tij të mundshme është Madridi. Sikurse raportojnë mediat pranë klubit spanjoll, merenguez po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të kampionit të botës, ndonëse zhvillime konkrete nuk ka.

Po ashtu, një tjetër emër që ka nisur të qarkullojë në dyert e Santiago Bernabeut është Serge Gnabry. 26 vjeçari ka një kontratë deri në fund të sezonit tjetër me Bayern Munich, mirëpo ende e ka të paqartë të ardhmen e tij me kampionët e Bundesligës, sepse për momentin, tema e rinovimit duket e panegociueshme. Situata e lojtarit në fjalë po monitorohet nga Real Madrid, që e sheh gjermanin si një përforcim të rëndësishëm për repartin e sulmit.

Mirëpo nuk mbyllet këtu, pasi në Madrid kanë vite tashmë që ëndërrojnë për një transferim të nivelit galaktik, e ndoshta ka ardhur momenti që pritja të marrë fund. Fjala është për Kylian Mbappe. Së fundi, francezi është parë të vizitojë kryeqytetin spanjoll, së bashku me Achraf Hakimin, mirëpo arsyeja e këtij udhëtimi ende nuk është zbuluar. Pasi në fund të sezonit I përfundon kontrata me PSG, ka nisur të bëhet gjithmonë e më e besueshme se këtë verë, kampioni I botës do vishet me fanellën e bardhë.