Sirena greke për Mërgim Mavraj. Futbollisti shqiptar, i cili është pa skuadër që pas largimit nga Hamburgu, përflitet se do ta vazhdojë karrierën e tij në Greqi. Mediat helene zbulojnë se Mërgim Mavraj mendohet të jetë përforcimi i rëndësishëm i Olympiacos-it për fazën mbrojtëse. Edhe pse kohët e fundit ka patur edhe një interesim nga ana e Hannoverit, duket se e ardhmja e 32-vjeçarit shqiptar do të jetë larg Bundesligës.
Ditët e fundit, në Greqi është përfolur se Mavraj ka qenë shumë pranë nënshkrimit të një kontrate me AEK-ut, por kërkesat e tij ekonomike janë konsideruar tepër të larta nga ana e drejtuesve të skuadrës kampione në fuqi. Mbrojtësi pretendon rreth 500 mijë euro pagë vjetore, kërkesë që duket se është e gatshme që t’ia plotësojë Olympiacosi.
Te klubi me qendër në Pire, besojnë se Mavraj ka përvojën e duhur për t’i garantuar prapavijës më shumë siguri. Në mediat greke vlerësohet fakti se Mavraj ka luajtur në Gjermani me skuadra si Bochum, Greuther Furth, Koln dhe së fundmi me Hamburgun, pa harruar rëndësinë që ka mbrojtësi në Kombëtaren Shqiptare. Afrimi i Mavraj tek Olympiacos do të realizoj si lojtar i lirë, ndërsa vlera e kartonit të tij llogaritet të jetë reth 450 mijë euro. Fillimisht tek Hamburgu, Mavraj vlerësohej mbi 2 milionë euro, por problemet e lojtarit me klubin gjerman sollën edhe rënien e vlerës së lojtarit ën tregun e transferimeve.