Një nga agjentët më të përfolur në Itali, Mario Giuffredi, është prononcuar në një intervistë të dhënë për “Tuttomeracoweb” edhe për lojtarët shqiptarë, që ka nën menaxhim si Hysaj, Ndoji e Memushaj. Ai është ndalur sidomos tek çështja e shkodranit të Napolit, i cili raportohet se ka refuzuar rinovimin e kontratës dhe kërkon të largohet me parametër zero nga ‘San Paolo’. “Për momentin as që bëhet fjalë të diskutohet. Të flasësh për futboll në këtë moment më duket jo e arsyeshme. Kur të nisë të shihet ‘drita’, atëherë do të rinisim diskutimet mbi rinovimin apo jo të Hysajt. Nuk dua të flas as për para’ dhe as për kontrata. Diskutimet e vetme që bëj me lojtarët e mi lidhen me shëndetin. Gjithcka që po ndodh, sipas meje, është një ndëshkim i Zotit kundrejt njeriut. Jemi mbyllur në shtëpitë tona si minjtë. Kjo të bën të kuptosh se duhet të jetojmë jetën tonë pa fiksimin e arritjes diku, apo të egoizmit. Të gjithë duhet të rregullohemi. Të shijojmë gjërat e vogla dhe të gëzojmë jetën që është dhurata më e bukur që Zoti na ka dhënë. Kur gjithcka të ketë përfunduar, atëherë duhet të kemi zotësinë dhe inteligjencën për t’u kujtuar për këtë periudhë. Kjo situatë do të na bëjë të kuptojmë sesi të përballojmë jetën”, tha fillimisht agjenti.
Giuffredi ka dashur të prekë edhe temën e marrëdhënieve midis Shqipërisë e Italisë. Sidomos pasi kryeministri shqiptar, Rama i shtriu dorën italianëve, duke dërguar 30 mjekë për ndihmë. “Nuk jam nga ata që ndjekin politikën. Eshtë një botë që nuk më ka pëlqyer. Por Edi Rama ishte një nga politikanët e paktë – në mos i vetmi – që foli me zemër dhe jo sepse duhet të bënte një diskutim institucional. Kjo e nderon atë dhe të gjithë popullin shqiptar, i cili është mirënjohës kundrejt italianëve. Në ditën e sotme, mirënjohja nuk ekziston dhe harrojmë gjithcka shumë shpejt. Të gjithëve u shkon një “Bravo”. Telefonova Hysajn dhe i thash që sapo të përfundojë kjo peroudhë, kam ndërmend të njoh Ramën, sepse kur dikush flet me zemër, është një burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në përvojën time kam kuptuar se shqiptarët mbështeten shumë tek fjala, njësoj si ne napoletanët”, përfundoi Giuffredi.